BAZA LIGJORE:

VKM nr. 65, datë 21.1.2009, “Për kontratat e paketave të udhëtimit”.
Ligji nr. 9902, datë 17.4.2008, “Për mbrojtjen e Konsumatorëve” i ndryshuar.
Ligji nr. 9734, datë 14.5.2007, “Për Turizmin”.
Ligj nr. 7850, datë 29.07.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar.

FUSHA E ZBATIMIT: 

Kjo kontratë rregullon marrëdhënien kontraktore për paketat e udhëtimit midis organizatorit dhe/ose shitësit dhe konsumatorit.

Parashikimet e kësaj kontrate mbi organizatorin vlejnë në mënyrë të njëjtë edhe për shitësin, pasi shitësi është solidarisht përgjegjës me organizatorin për detyrimet që rrjedhin nga kontrata.

PËRKUFIZIME

“Kontratë”: është marrëveshja e lidhur ndërmjet konsumatorit me organizatorin dhe/ose shitësin në të cilën konsumatori detyrohet të paguajë një çmim të caktuar gjithëpërfshirës përkundrejt paketës së udhëtimit të ofruar nga pala organizuese.

“Paketë udhëtimi”: është shërbimi që i siguron konsumatorit një kombinim të parapërgatitur të jo më pak se dy nga llojet e mëposhtme të shërbimeve: (i) transporti; (ii) strehimi; (iii) shërbime të tjera turistike, që nuk lidhen drejtpërsëdrejti me transportin ose strehimin dhe që përbëjnë pjesë të konsiderueshme të paketës; si dhe mbulon një periudhë kohore prej jo më pak se 24 orë ose që përfshin strehimin, të paktën për një natë.

“Agjenci”: Person juridik i regjistruar i cili kryen veprimtarinë e ofrimit, gjetjes dhe mundësimit të udhëtimeve turistike, biletave të udhëtimit në mënyra të ndryshme transporti si dhe bileta për aktivitete sportive ose kulturore për klientët, në këmbim të pagesës.

“Rezervim”: ruajtja ose porosia e një produkti turistik si udhëtimi, akomodimi ose paketë turistike nga ana e agjencisë, me porosi të klientit.

“Konfirmim”: a) verifikimi i disponibilitetit të një rezervimi, ose b) marrëveshja përfundimtare me anë të së cilës klienti shlyen detyrimet ndaj agjencisë dhe agjencia ruan perfundimisht rezervimin e klientit.

“Hotel”: ndërtesë ose një grup i lidhur ndërtesash të pavarura nga ndonjë vendodhje ndërtimi tjetër, me jo më pak se 6 (gjashtë) dhoma, brenda një parcele toke të vetme, në të cilën akomodimi, shërbimet shtesë dhe komoditeti ofrohen për publikun nga një staf i kualifikuar.

“Rimbursim”: shuma e parave që agjencia është e detyruar t’i kthejë klientit në rast të mospërmbushjes së marrëveshjes për faj të saj ose në rastet e parashikuara në këtë dokument.

Detyrime të agjencisë

  • Stafi i agjencisë është i detyruar të shpjegojë të gjitha ofertat për të cilat klienti shpreh interes. Stafi i agjencisë është i detyruar të përgjigjet, brenda orarit zyrtar dhe në mënyrën e caktuar me marrëveshje, për çdo pyetje apo paqartësi të klientit.
  • Stafi i agjencisë është i detyruar t’i ofrojë konsumatorit, me shkrim ose në një formë tjetër të përshtatshme, përpara lidhjes së kontratës, një informacion të përgjithshëm për kërkesat e zbatueshme për vizat dhe pasaportat, veçanërisht, për afatet kohore për pajisjen me to, si dhe informacion për formalitetet shëndetësore, për udhëtimin dhe qëndrimin.
  • Pasaporta shqiptare për udhëtimet me charter duhet të ketë vlefshmëri mbi 6 muaj.
  • Pajisja me vizë: Në rastet kur agjencia përgatit paketa turistike për udhëtime në destinacione ku kërkohet pajisja me vizë e qytetarëve shqiptarë, agjencia do të lehtësojë proçesin e aplikimit për klientët e saj duke mbledhur dokumentet dhe dërgimin në ambasadat përkatëse. Agjencia nuk mban asnjë përgjegjësi nëse klientit nuk i akordohet viza hyrëse. Klienti gjithashtu informohet për kostot shtesë të aplikimit për vizë, në rastet kur kjo nuk është e përfshirë në çmimin e paketës.
  • Stafi i agjencisë është i detyruar të shpjegojë proçedurën që do të kryhet në mënyrë që të mundësohet udhëtimi sipas kërkesave të klientit si dhe dokumentet e nevojshme që klienti duhet të paraqesë në agjenci.
  • Stafi i agjencisë është i detyruar t’u përgjigjet sa më mirë nevojave të klientit për sa i përket rezervimit të hotelit, transportit, etj. Nëse klienti ka zgjedhur të pranojë njërën nga ofertat e përgatitura nga agjencia, atëherë stafi i agjencisë do të përgjigjet vetëm për hotelet dhe transportin e përcaktuar në ofertë.
  • Agjencia deklaron se është përgjegjëse për çdo ofertë të reklamuar në faqen online www.kulturore.al, në broshurat informuese dhe katalogët e prodhuara prej saj, si dhe çdo ofertë të reklamuar nga stafi i agjencisë.
  • Agjencia nuk është përgjegjëse për dëmtim ose humbje të bagazheve ose sendeve personale në avion, aeroport, port, anije ose në hotel.
  • Agjencia është përgjegjëse për dëmtim ose humbje të bagazheve dhe sendeve personale në mjetet e transportit të mundësuara nga vetë ajo, për transportin e klientit nga aeroporti, porti në drejtim të hotelit dhe e anasjelltas.

Anullimet

  • Agjencia nuk është përgjegjëse në rast të anullimit të udhëtimit për shkak të forcës madhore, shkaqeve natyrore, protestave popullore ose shpalljeve të gjendjes së luftës në destinacionin e përzgjedhur nga klienti si dhe për çdo incident që ndodh për shkak të këtyre arsyeve. Zgjidhja do të gjendet me marrëveshje mes agjencisë dhe klientit duke i ofruar nje udhetim tjeter alternative ose duke I kthyer këtij të fundit rimbursim të pagesës në masën 100%.
  • Në rast se nuk përmbushet numri minimal “25 pasagjerë”i pjesëmarrësve të parashikuar për organizimin e paketës, atëherë agjencia ka të drejtë të anullojë udhëtimin jo me larg se 36 orë para nisjes. Parashikimi i numrit minimal varion sipas destinacionit dhe periudhës së vitit kur promovohet një paketë dhe bëhet gjithmonë i ditur në momentin e publikimit të paketës.
  • Në rast se konsumatori heq dorë nga kontrata në kapërcim të afatit të mësipërm, per produktin, udhetim Turistik, fundjava kulturore dhe Eskursione agjencia është e detyruar të mbajë në formën e penalitetit 100% të pagesës. Ky rregull nuk vlen per te gjitha produktet e tjera Krocera, Eksploro, akomodime dhe evente ku rregullat jane ne ne varesi te politikave te njesive te sherbimit.
  • Nëse agjencia anullon paketën përpara datës së nisjes, për të cilën është rënë dakord, konsumatorit i lind e drejta të zgjedhë njërën nga mundësitë e mëposhtme:
    • Ofrimin e një paketë zëvendësuese, ekuivalente ose të një cilësie më të lartë, kur organizatori a shitësi janë në gjendje t’ia ofrojnë;
    • Ofrimin e një pakete udhëtimi zëvendësuese, me një cilësi më të ulët. Në një rast të tillë organizatori ose shitësi duhet t’i kompensojnë klientit diferencën e çmimit ndërmjet paketës së udhëtimit të anulluar dhe asaj të ofruar.
    • Kthimin e të gjithë shumës së paguar nga konsumatori, sipas kontratës së paketës së udhëtimit, brenda 7 ditëve nga data e dhënies së njoftimit për heqjen dorë.
  • Në të kundërt konsumatorit i lind e drejta të kërkojë kompensim nga organizatori, për të gjitha dëmet, materiale dhe jomateriale.
  • Konsumatori ka të drejtë të heqë dorë nga kontrata pa penalitet deri në 10 ditë përpara nisjes së udhëtimit.
  • Në rast se konsumatori heq dorë nga kontrata në kapërcim të afatit të mësipërm, agjencia është e detyruar të mbajë në formën e penalitetit një shumë të paracaktuar e cila është e nevojshme për shpenzimet e kryera për rezervimin e tij. Shuma do të përcaktohet në përputhje me afatet e anullimit të përcaktuara në këtë kontratë.
  • Anullimi do të quhet se është kryer në momentin që klienti paraqitet personalisht (ose i përfaqësuar nga një pjestar i grupit kur udhëtimi është rezervuar në grup) në njërën nga zyrat e agjencisë, ose duke dërguar email në adresën info@kulturore.al për t’u tërhequr nga marrëdhënia e krijuar me agjencinë.