berati dhe kanionet

Qarku i Beratit dhe Skraparit

Rrethet fqinje të Beratit dhe Skraparit janë magnet i fuqishëm për tërheqen r turistëve nga e gjithë Bota. Qyteti i Beratit, quajtur ndryshe “qyteti i nje mbi nje dritareve” pjesë e Trashegimise Kulturore Boterore, UNESCO. Vec bukurisë arkitektonike, qyteti krenohet edhe me historinë e pasur 2700 vjecare të tij. Vigjilent në krah të qytetit rrinë dy male ai i Shpiragut dhe i Tomorrit dhe në pjesën e poshtme të qytetit rrjedhin lumenjtë Osum e Tomorrice.

Rrethi i Skraparit, quajtur ndryshe edhe “Rrethi i Kanioneve” ose “Kolorado Shqiptare”. Në të gjenden dy kanione të mëdha, të dy monumente natyre, midis tyre kanioni i Osumit, më i madhi në gjithë Shqipërinë, që me të drejtë është quajtur “Koloradoja e Shqipërisë”. Ai gjendet në sektorin Çorovodë – Hambull të luginës së Osumit, është rreth 13 km i gjatë, nga 4 deri në 35 m i gjerë, i thellë deri në 70-80 m, me shpate vertikale, përfund të cilëve rrjedh “lozonjar” Osumi. Janë pikërisht ujërat e Osumit, që me forcën e tyre gërryese dhe tretëse, kanë depërtuar ashtu ngadalë, por pa ndërprerje, në masën shkëmbore gëlqerore të strukturës antiklinale të Çorovodës, duke formuar kanionin me bukuri mbresëlënëse. Në muret vertikale të kanionit ka mjaft guva e zgavërime të formuara nga proceset e karstit. Pergjatë udhëtimit tonë do shijojmë ujevarat e Osumit.

Cdo turist vizitat në qytetin e Beratit i fillon me  të mahnitshmen Ura e Gorices nga mund të kemi një pamje 360 gradë të qytetit me malet madhështore të Tomorrit edhe Shpiragut. Vizitë e lagjes se mbrojtur nga UNESCO ‘’Mangalem’’ së bashku me Xhamine e Beqareve, Pedonalen e re në qendër të qytetit, vizitë e Katedrales si edhe Xhamise se Plumbit, vizitë e organizuar e Kalase se Beratit. Kështjella ose kalaja, siç quhet nga beratasit është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, e rindërtuar disa herë në shekujt VI, XIII, XV dhe XIX ajo është sot jo vetëm një nga kështjellat më të mëdha të banuara, por edhe një arkiv i gurtë që ofron varietete stilesh dhe kontributesh të epokave të ndryshme: ilire, romako-bizantine, shqiptare e turke. Vizitë e muzeut Onufri Vizita e pikës së vrojtimit. Brenda një hapësire kaq të vogël gjendet një mozaik kulturash dhe epokash që dëshmon për rëndësinë e pacmuar të këtij qyteti ndër shekuj.

Mali i Tomorrit, pjesë e Prkut Kombetar Mali i Tomorrit është një nga vendet më të vizituara në Shqiperi.  Tomorri është mali më impozant në Shqipërinë e Jugut. Me majën më të lartë 2416 metra, ai ngrihet vetmitar në një rrafshinë pa fqinjë që ta rivalizojnë dhe zotëron kështu pamjen nga të gjitha pikat e horizontit. Kjo e bën atë madhështor, si e bëjnë të bukur livadhet malore, e të frikshëm majat e thepisura shkëmbore, humnerat e thella dhe stuhitë e befasishme. Etnologia angleze Margaret Hasluck, që u ngjit në majë të tij më 1930, konstatoi midis të tjerave se pelegrinët besonin në një fuqi të mbinatyrshme me seli në atë majë e se betimi për Baba Tomorrin ishte më i fortë se betimi mbi Ungjill ose Kur’an. Kuptohet se ky adhurim është mbeturinë e kultit pagan të natyrës, brenda të cilit kanë mbetur besimet e shqiptarit. Nga kulti pagan i majave të larta, i përhapur në gjithë Shqipërinë, kulti i malit të Tomorit ka mbijetuar në rrjedhë të shekujve e të ndërrimeve fetare. Duke gëzuar një prestigj të veçantë në botën shqiptare, ai ka fituar atributin e malit të shenjtë. Fakti që ky mal në gojëdhënën popullore, në periudhën antike e mesjetare dhe në letërsinë romantike përfytyrohet si Olimpi shqiptar, besohet se është dëshmi e njësisë kulturore ballkanike.

Së fundi po ndalem tek Kodiket e Beratit.  Kodiku i Purpurt i Beratit ka 190 fletë dhe përmban dy ungjij : sipas Markut dhe sipas Matheut. Është shkruar me germa të derdhura prej argjendi, sipas vlerësimit të ekspertëve, “në fletë të ngjashme me letrën e zakonshme, që ka të ngjarë të jetë prodhuar nga ngjeshja e shumë elementeve petëzorë me natyrë bimore, siç janë fletët e papirusit”. Bizantologët mendojnë se lënda e dorëshkrimit është pergamenë. Sfondi mbi të cilin janë derdhur germat është e kuqe e thellë (e purpurt), prej nga ka marrë edhe emrin. Ngjyra, me kalimin e shekujve, është zbehur. Disa pjesë të rëndësishme të tekstit të kodikut janë të derdhura në ar. Germat e aplikuara janë kapitale të vogla (majuscule). Kapaku i dorëshkrimit është metalik, me zbukurime biblike, por duhet të jetë disa shekuj më i vonshëm se vetë vepra.

Për të gjitha këto vlera që përmban, si në aspektin historiko – kulturor por edhe në aspektin natyror kjo zonë është një thesar i Shqiperise. Vlerë e shtuar është Mali i Tomorrit për turizmin fetar dhe mitologjik të tij si edhe për turizmin e aventurës dhe ecjes në natyrë. Ju ftojmë të njiheni me vlerat e këtij qyteti dhe do dëshironi të ktheheni sërish.

This slideshow requires JavaScript.