Valbona Harta

Udhetim ne Alpet Shqiptare dhe Kosove

E nisim udhëtimin tonë nga Tirana, prej 91 vjetësh kryeqyteti zyrtar i Shqiperise, një qytet me gjurmë romako-bizantine por me fizionomi
osmane. Qyteti u themelua nga Sulejman Pashe Bargjini, në vitin 1614 ku ndërtoi  një xhami, hamamin dhe pazarin. Që nga koha e shpalljes kryeqytet Tirana fillon transformimin në qendrën më të madhe administrative-politike dhe ekonomike të vendit, duke u shdërruar sot në zemrën e Shqipërisë. Disa nga objektet më të vizituara nga turistët janë: Muzeu Historik Kombetar, Galeria e Arteve, Sheshi “Nene Tereza”, Bulevardi “Deshmoret e Kombit”, Sheshi “Skenderbej” e së fundmi Bunk Art.

Udhëtimi vazhdon drejt Vaut të Dejes, hidrocentral buzë lumit Drin i ndërtuar në vitin 1971. Kjo vepër e periudhës së diktaturës komuniste është një dëshmi e gjallë e periudhës së industrializimit të Shqipërisë nën moton “Ta ndërtojmë socializmin me forcat tona”. Ky hidrocentral ka dy diga, digën e Zadrejës dhe një në Qyrsaq të ndërtuara mbi kaskadën e lumit Drin. Këto diga krijojnë një rezervuar, (Liqenin e Vaut të Dejës) me vëllim 580 milionë metër kub ujë.

Pas Vaut te Dejes udhëtimi vazhdon drejt qendrës me rëndësi historike dhe ekonnomike të Komanit. Vendbanimi i Komanit i përket Mesjetës së hershme dhe hedh dritë mbi autoktoninë e shqiptarëve dhe për vazhdimësinë iliro-arberore të tyre. Gërmimet arkeologjike në Koman janë bërë fillimisht që në vitin 1898 nga Konsulli i Francës në Shkodër Degrand dhe kanë vazhduar dhe me ekspedita të arkeologëve shqiptarë më 1961 nga Hana Spahia e deri në ditët e sotme. Nga ato gërmime arkeologjike u gjetën varrezat e Mesjetës së hershme, ku në bazë të atyre u bë ndërtimi shkencor mjaft i rëndësishëm, i njohur si kultura e Komanit që bënte lidhjen e shqiptarëve si pasardhës të arbërve dhe ilirëve. Ky zbulim e klasifikon Komanin si qendrën kryesore të Mesjetës shqiptare. Qendra e referencës së Ballkanit është Komani, i cili mësohet në të gjitha shkollat e rajonit të Ballkanit. Vec rënndësisë së madhe historike, Komani paraqet dhe rëndësi ekonomike sa i takon prodhimit të energjisë elektrike, hidrocentrali i Komanit dhe rëndësi turistike, mundëson një udhëtim me traget përgjatë Drinit deri në Fierzë.

Ndalesa e rradhës përpara se të arrijmë në Parkun Kombëtar të Valbonës është në qytetin e Bajram Currit. Qyteti ka marrë emrin e një figure historike kontradiktore i cili luftoi heroikisht kundra forcave qeveritare në Shpellen e Dragobise, 1925. Pas ndalesës së shkurtër në kryeqendrën e rrethit të Tropojës, i drejtohemi Luginës së Valbonës, pjesë e Parkut Kombëtar të Valbonës. Parku kombëtar “Lugina e Valbonës” ndodhet në Qarkun e Kukësit dhe në rrethin e Tropojës, 25-30 km në veriperëndim të qytetit Bajram Curri. Shtrihet midis majash të larta e të thepisura të mbuluara me një kolorit fantastik ngjyrash në çdo stinë, duke dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinthe e të papritura. Ka një sipërfaqe prej 8,000 hektarësh dhe konsiderohet si mrekullia e Alpeve shqiptare.

Të bësh një udhëtim në vjeshtë, në Luginën e Valbonës, duhet të përgatitesh jo vetëm materialisht për çfarë do të marrësh me vete, por në radhë të parë shpirtërisht, për të përballuar dhe shijuar nga ana emocionale, bukuritë befasuese të këtij parku kombëtar verior të Shqipërisë,

i cili tashmë është shumë i vizituar jo vetëm nga të huajt por edhe nga mjaft shqiptarë, të ngopur me detin e të etur për aventurë. Valbona nuk është thjesht një destinacion natyror i Shqipërisë, ajo është një kompleksitet dukurish interesante, si e gjithë pjesa tjetër e Alpeve Shqiptare, që ngërthen bashkë të gjitha kuptimet e së bukurës.

Valbona u tregon udhëtarëve madhështinë e saj përmes maleve hijerënda, thellësinë e saj përmes pyjeve e humnerave, pastërtinë e saj përmes ujit të kristaltë ku vallëzojnë troftat e arta, mikpritjen e saj përmes njerëzve të mrekullueshëm që ka, bukurinë e saj përmes veshjeve shumëngjyrëshe të zonës. Çfarëdo aspekti që t’ju tregojë Valbona, është një sinonim i së bukurës. Edhe rruga për në Valbonë është një vrapim i bukur mes malesh e ujrash, nëpër luginën e Fierzës, ku vjeshta ka mundur të ndryshkë vetëm shkurret e shpateve të thyera, duke e kthyer peisazhin në një spektakël të vërtetë ngjyrash.

Kjo zonë e pasur me bukuri natyrore, pasuri arkeologjike dhe historike pret të zbulohet nga ju. Gjithashtu është edhe një nyje lidhëse me Erafshin e Dukagjinit, Gjakoven, Prizrenin në Kosove. Në një udhëtim të vetëm mund të njiheni me bukuritë natyrore të Veriut të Shqiperise dhe trashëgimisë së tyre të pasur historike.

This slideshow requires JavaScript.