BAZA LIGJORE:

VKM nr. 65, datë 21.1.2009, “Për kontratat e paketave të udhëtimit”.
Ligji nr. 9902, datë 17.4.2008, “Për mbrojtjen e Konsumatorëve” i ndryshuar.
Ligji nr. 9734, datë 14.5.2007, “Për Turizmin”.
Ligj nr. 7850, datë 29.07.1994 “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar.

FUSHA E ZBATIMIT: 

Kjo kontratë rregullon marrëdhënien kontraktore për paketat e udhëtimit midis organizatorit dhe/ose shitësit dhe konsumatorit.

Parashikimet e kësaj kontrate mbi organizatorin vlejnë në mënyrë të njëjtë edhe për shitësin, pasi shitësi është solidarisht përgjegjës me organizatorin për detyrimet që rrjedhin nga kontrata.

PËRKUFIZIME

“Kontratë”: është marrëveshja e lidhur ndërmjet konsumatorit me organizatorin dhe/ose shitësin në të cilën konsumatori detyrohet të paguajë një çmim të caktuar gjithëpërfshirës përkundrejt paketës së udhëtimit të ofruar nga pala organizuese.

“Paketë udhëtimi”: është shërbimi që i siguron konsumatorit një kombinim të parapërgatitur të jo më pak se dy nga llojet e mëposhtme të shërbimeve: (i) transporti; (ii) strehimi; (iii) shërbime të tjera turistike, që nuk lidhen drejtpërsëdrejti me transportin ose strehimin dhe që përbëjnë pjesë të konsiderueshme të paketës; si dhe mbulon një periudhë kohore prej jo më pak se 24 orë ose që përfshin strehimin, të paktën për një natë.

“Agjenci”: Person juridik i regjistruar i cili kryen veprimtarinë e ofrimit, gjetjes dhe mundësimit të udhëtimeve turistike, biletave të udhëtimit në mënyra të ndryshme transporti si dhe bileta për aktivitete sportive ose kulturore për klientët, në këmbim të pagesës.

“Rezervim”: ruajtja ose porosia e një produkti turistik si udhëtimi, akomodimi ose paketë turistike nga ana e agjencisë, me porosi të klientit.

“Konfirmim”: a) verifikimi i disponibilitetit të një rezervimi, ose b) marrëveshja përfundimtare me anë të së cilës klienti shlyen detyrimet ndaj agjencisë dhe agjencia ruan perfundimisht rezervimin e klientit.

“Hotel”: ndërtesë ose një grup i lidhur ndërtesash të pavarura nga ndonjë vendodhje ndërtimi tjetër, me jo më pak se 6 (gjashtë) dhoma, brenda një parcele toke të vetme, në të cilën akomodimi, shërbimet shtesë dhe komoditeti ofrohen për publikun nga një staf i kualifikuar.

“Rimbursim”: shuma e parave që agjencia është e detyruar t’i kthejë klientit në rast të mospërmbushjes së marrëveshjes për faj të saj ose në rastet e parashikuara në këtë dokument.

Të drejtat e Klientit

  • Klienti ka të drejtë të përfitojë nga oferta sipas informacioneve të dhëna nga stafi i agjencisë.
  • Klienti ka të drejtë të kërkojë informacion mbi udhëtimin, gjatë orëve të punës së agjencisë, në mënyrat e kontaktit të caktuara nga agjencia.
  • Klienti ka të drejtë të sigurojë 7 ditë para fillimit të udhëtimit informacion të plotë në lidhje me programin e zgjedhur dhe t’i vendoset në dispozicion numri i guidës dhe numri i emergjencës pasi të ketë dërguar e-mail në info@kulturore.al, për të shmangur probleme dhe të papritura përgjatë udhëtimit.
  • Klienti ka të drejtë të informohet për oraret dhe vendet e ndalesave të ndërmjetme dhe të pikave lidhëse të udhëtimit, si dhe të marrë informacion të hollësishëm për llojin e akomodimit në çdo rast. Në rregullat e agjencisë është parashikuar shoqërimi i grupeve me guidë profesionale shqiptare për programet kulturore. Shoqëruesi ose guida e përzgjedhur nga agjencia jo vetëm ju informon për detajet e udhëtimit, por edhe është pika juaj e kontaktit me agjencinë për çdo problem të mundshëm.
  • Klienti ka të drejtë të informohet me shkrim, për të gjitha kushtet e kontratës, si dhe të marrë një kopje të këtyre kushteve.

Detyrime të Klientit

  • Klienti është i detyruar të kryejë pagesat sipas marrëveshjes së caktuar me agjencinë.
  • Klienti është i detyruar të paraqitet në vendin e nisjes në datën dhe orën e caktuar nga agjencia.
  • Klienti është i detyruar të japë numrin e pjesëmarrësve në udhëtim, nëse ai është përgjegjës për ta, ose nëse bëhet fjalë për udhëtim në grup. Ai duhet të paraqesë pranë agjencisë të dhënat e nevojshme për mundësimin e udhëtimit (emër, mbiemër, datëlindja, numrin personal të kartës së identitetit ose i pasaportës, listën e produkteve që është alergjik, personin me të cilin do qëndrojë në dhomë).
  • Klienti është i detyruar të sillet në mënyrë korrekte dhe sipas ligjeve dhe normave etike të vendit pritës ku organizohet udhëtimi, sipas udhëzimeve të organizatorit. Klienti është i detyruar të dëmshpërblejë organizatorin për ndonjë dëm që rrjedh nga mosrespektimi i këtij detyrimi.
  • Klienti është i detyruar të përcaktojë nëse do të ketë në ngarkim të mitur. Për të miturit që udhëtojnë pa praninë e të dy prindërve, nevojitet pajisja me prokurë nga prindërit. Ky rregull vlen edhe per fëmijët që udhëtojnë vetëm me një prind.
  • Klienti është i detyruar të njoftojë për çdo mospërmbushje të kontratës së paketës turistike, të cilën ai e dallon në vend, furnizuesin e shërbimit në fjalë dhe agjencinë, duke plotësuar formularin e vërejtjeve ose në një formë tjetër të përshtatshme, me mundësinë më të parë.
  • Në rast se klienti heq dorë nga kontrata në kapërcim të afatit të mësipërm atëherë ai detyrohet të kompensojë agjencinë për shpenzimet e kryera sipas kushteve të përcaktuara për afatet e anullimit.